Një zhvillim i ri është regjistruar në një rast të dhunës në familje në Pejë, ku një person që fillimisht ishte paraqitur si viktimë, tashmë është ndaluar si i dyshuar për dhunë ndaj djalit të tij të mitur.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, më 5 mars 2026 rreth orës 22:20 ishte raportuar një rast dhune në familje në rrugën “Ismail Qemajli” në Pejë, ku konflikti kishte ndodhur ndërmjet bashkëshortëve dhe në atë rast mashkulli ishte paraqitur si viktimë, ndërsa bashkëshortja si e dyshuar.
Megjithatë, më 7 mars 2026, rreth orës 12:20, policia ka pranuar një tjetër informatë për dhunë në familje në të njëjtin lokacion.
Njësitë policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë takuar viktimën O.M., 17 vjeç, dy dëshmitare dhe të dyshuarin Astrit Murati, i cili në rastin e parë ishte trajtuar si viktimë.
Sipas deklarimit të viktimës, babai i tij e kishte goditur me shuplakë në faqe. Për shkak të skuqjes në fytyrë, i mituri është dërguar nga policia për trajtim mjekësor në spital.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa viktima dhe dëshmitaret janë paraqitur gjithashtu në polici për deklarime.
Pas veprimeve hetimore dhe në konsultim me prokurorin kujdestar të shtetit, është vendosur që kjo ngjarje të bashkëngjitet me rastin e iniciuar më 5 mars 2026, ndërsa Astrit Murati është ndaluar për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


