Mirlind Daku është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer me fanellën e Rubin Kazanit në Superligën e Rusisë.
Starti në sezonin e ri ka qenë i jashtëzakonshëm për Dakun, ku në 12 ndeshjet e para ka realizuar nëntë gola dhe ka asistuar në një tjetër.
Në një intervistë për Telegrafin, Daku flet për të gjitha: Golat, formën e mirë me Rubinin, objektivat personal dhe ato ekipor, si dhe për Kombëtaren e Shqipërisë.
Ai fillimisht tha me shaka për golat se është punë e tij që paguhet. “Për të shënuar paguhem dhe atë po e bëjë”, tha Daku duke qeshur.
“Jam shumë i fokusuar te ndeshjet një nga një. Mundohem gjithmonë të jap maksimumin tim, të ndihmoj ekipin dhe pse jo të bëj edhe statistika më të mira se sezonin e kaluar, sepse tashmë e njoh shumë më mirë ligën dhe kundërshtarët”, tha Daku për formën që po kalon.
Objektivat me klubin nuk i bënë publike, por thotë se nuk e kanë presionin e titullit përkundër që mungon që nga vitit 2009.
“Nuk kemi atë presionin e madh të titullit, thjesht përqendrohemi të nxjerrim më të mirën në çdo ndeshje dhe pastaj ecim hap pas hapi”, vazhdon Daku.
Sezonin e kaluar Daku e mbylli me 15 gola, teksa këtë edicion duket në rrugë të mirë për ta thyer atë rekord. Gjithsesi sulmuesi gjilanas thotë se nuk i ka vendosur vetës objektiva për numër të caktuar të golave.
“Për mua nuk ka objektiv personal të caktuar, përveçse të jap gjithmonë maksimumin në fushë. Si sulmues, obligimi im është të shënoj gola dhe të jem aty kur ekipi ka më shumë nevojë për mua. Në fund, gjithçka që dua është t’i ndihmoj skuadrës të arrijë rezultatet që kërkon”, vazhdon tutje Daku.
Daku kishte oferta të shumta në verë, fillimisht u kërkua me ngulm nga Zenit St Petersburg, por ai vazhdoi kontratën me Rubinin. Më vonë edhe Fiorentina shprehu interesim për transferimin e tij, derisa Daku tregon pse qëndroj te skuadra e tij aktuale.
“Është e vërtetë që ka pasur shumë oferta nga klube të ndryshme, por vendosa të vazhdoj me Rubinin. Ata kanë treguar besim tek unë që në ditën e parë kur erdha dhe nuk desha t’ua kthej shpinën. Normalisht, pati edhe diskutime rreth kushteve, për çmimin dhe marrëveshjen, por nuk arritëm të gjejmë gjuhën e përbashkët me disa klube. Megjithatë, e gjitha ishte shumë korrekte dhe pjesë e futbollit. Vendimi im ishte të qëndroj këtu”, tha Daku.
27-vjeçari prej dy vitesh është në Rusi, derisa e ndjen vetën si në shtëpi pasi mikpritja që i është bërë ka qenë fantastike, si nga klubi, ashtu edhe nga bashkëlojtarët, tifozët dhe në përgjithësi në qytetin e Kazanit.
“Rusia është e ndryshme nga shumë shtete të tjera të Evropës, por këtu ndjehem jashtëzakonisht mirë. Në klub më duan aq shumë sa që më duket sikur jam tek Llapi ose Ballkani, pra ndihem si në shtëpi. Këtë e kam falë edhe presidentit, trajnerit dhe gjithë lojtarëve që më kanë mbështetur prej ditës së parë. Edhe tifozët e qytetit më kanë pritur në mënyrën më të mirë dhe kjo më ka bërë të ndihem shumë i respektuar”, tha Daku.
Krejt në fund reprezentuesi shqiptar foli edhe për ndeshjen e ardhshme që Shqipëria në tetor e zhvillon ndaj Serbisë.
Kuqezinjtë janë duke kërkuar për herë të parë në histori kualifikimin në Kupën e Botës, derisa Daku thotë se në çdo ndeshje futen për fitore, pa marrë parasysh kundërshtarin.
“Tani na presin ndeshje shumë të rëndësishme me Kombëtaren. Jemi ende në garë për të shkuar në Botëror dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë objektiv. Është një ëndërr dhe një dëshirë e secilit prej nesh dhe do të japim gjithçka që të bëhet realitet”, përfundoi sulmuesi gjilanas. /Telegrafi/