Tre persona janë shoqëruar në polici pas një përleshjeje fizike në fshatin Xerxë të Rahovecit, ku gjatë konfliktit është përfshirë edhe një armë zjarri, e cila më pas është sekuestruar nga policia.
Siç mëson Sinjali, të përfshirë në këtë rast janë:
Visar Krasniqi (1989): 37 vjeç
Shqiprim Quni (1989): 37 vjeç
Shkumbin Quni (1994): 32 vjeç
Sipas informacioneve nga terreni, incidenti ka ndodhur pranë shkollës fillore në Xerxë, ku pas një përleshjeje fizike mes tyre, arma që dyshohet se ishte në brez të V.K. i kishte rënë gjatë konfliktit.
Dy personat e tjerë dyshohet se e kanë marrë armën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke e vendosur atë nën ulësen e pasagjerit në veturën e tyre Mercedes-Benz.
Pak më vonë ata janë ndaluar nga patrulla e trafikut në një pikë kontrolli, ku vetë kanë njoftuar policinë për armën që ndodhej në automjet.
Policia ka sekuestruar një armë me gaz të tipit “Ekol Special 99”, me një karikator dhe pesë fishekë 9 mm, ndërsa të tre personat janë intervistuar në stacion policor.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, arma është konfiskuar si provë materiale, ndërsa personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe mbetet nën hetime.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


