Janë zbardhur identitetet e personave të dyshuar për një skemë të madhe të shpëlarjes së parave, që dyshohet se ka funksionuar për vite me radhë në Prishtinë.
Të përfshirë në këtë rast janë:
Arbër Blakqori, rreth 34-vjeçar, Artan Bajramaj, rreth 43-vjeçar, Nysret Podvorica, rreth 59-vjeçar, Shefki Rrahmanaj, rreth 54-vjeçar, Roland Idrizi, rreht 35-vjeçar dhe Bali Rrahmanaj, rreth 49-vjeçar.
Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetime Financiare, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe lidhen me një periudhë kohore nga viti 2015 deri në vitin 2019.
Sipas dyshimeve, grupi fillimisht ka operuar përmes mashtrimeve me shitjen e avio-biletave, për të kaluar më pas në pastrim të parave përmes kompanive të kontrolluara.
Në qendër të hetimeve është Arbër Blakqori, për të cilin dyshohet se ka përdorur kompani si “Kosovaairways.com” dhe “Ria Travel” për të qarkulluar dhe fshehur paratë e përfituara në mënyrë të kundërligjshme, përfshirë edhe transferime të dyshimta të pronësisë përmes dhurimit të aksioneve.
Vlera e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kësaj skeme tejkalon 2 milionë euro, ndërsa vetëm i dyshuari kryesor dyshohet të ketë bërë deponime në para të gatshme mbi 800 mijë euro, pa arritur të justifikojë burimin e tyre.
Pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, Arbër Blakqori me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Hetimet ndaj të dyshuarve të tjerë janë në vazhdim dhe priten zhvillime të reja në këtë rast që dyshohet të përfshijë një nga skemat më të mëdha financiare të zbuluara në vend.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


