Një incident i rëndë është regjistruar dje pasdite në Gjilan, ku një person dyshohet se ka kanosur familjarët me armë zjarri dhe më pas ka shtënë në drejtim të tokës, duke shkaktuar panik për personat që gjindeshin perreth.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 në rrugën “Woodrow Wilson”, ku i dyshuari Labinot Matoshi rreth 32 vjeç, pas një mosmarrëveshjeje familjare, dyshohet se ka kërcënuar me armë anëtarët e familjes, duke u thënë se do t’i qëllonte.
Pas pranimit të informatës, njësitë policore janë nisur me urgjencë drejt vendit të ngjarjes, por gjatë rrugës kanë pranuar informacion shtesë se i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri në tokë dhe ishte larguar me një veturë të tipit VW Golf 3, ngjyrë e zezë.
Policia është vënë menjëherë në kërkim të tij, ndërsa sipas informacioneve, i dyshuari ka shfaqur sjellje agresive edhe ndaj zyrtarëve policorë dhe kishte paralajmëruar vetëdorëzim, por deri më tani nuk është paraqitur.
Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitë relevante hetimore dhe forenzike, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimet janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


