Një i dënuar për “Vjedhje të Rëndë” është arratisur gjatë orëve të para të mëngjesit nga Reparti i Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohej në gjendje të hospitalizuar.
Sipas burimeve nga strukturat e afërta me hetimin, rreth orës 05:20 të datës 27.02.2026, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar Policinë se Florim Morina (45- vjeçar), nga Malisheva, kishte arritur të largohej nga reparti, ndonëse ishte nën përcjellje zyrtare.
I njëjti ishte nën mbikëqyrjen e dy zyrtarëve korrektues: Naim Shahini 58-vjeçar) dhe Bekim Bytyqi (52- vjeçar).
Rasti është trajtuar nga Stacioni Policor Jugu për veprën penale “Arratisja e Personit të Privuar nga Liria”, ndërsa për veprën penale “Mundësimi i Arratisjes së Personit të Privuar nga Liria” po zhvillohen hetime nga Njësia Rajonale e Hetimeve.
Zyrtarët korrektues janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa me vendim të Prokurorit kompetent, rasti është iniciuar dhe po procedohet në procedurë të rregullt.
Policia është në kërkim të personit të arratisur, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


