Monday, March 2, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | I dehur dhe me urdhër mbrojtës aktiv, ish-bashkëshorti kërcënon me...

Ekskluzive | I dehur dhe me urdhër mbrojtës aktiv, ish-bashkëshorti kërcënon me vrasje dhe tenton t’i vë flakën ndërtesës në Pejë

Një incident i rëndë është shënuar pasditen e 1 marsit 2026 rreth orës 17:30 në rrugën “Sylejman Vokshi” në Pejë, ku një person dyshohet se ka rrezikuar jetën e familjarëve dhe ka dëmtuar pronën, duke shpërfillur edhe vendimin e Gjykatës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Ardin Nikqi (47-vjeçar), ish-bashkëshort i viktimës Sh. N, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër mbrojtës për mosafrimin dhe moskomunikimin me të, fillimisht ka kontaktuar djalin e tyre dhe i ka thënë se do të shkonte në banesë dhe “do t’i vriste të gjithë”.

Edhe pse policia ishte nisur drejt lokacionit, i dyshuari kishte arritur më herët, ku fillimisht ka thyer derën e hyrjes së ndërtesës, më pas dyshohet se ka tentuar t’i vë flakën objektit dhe në fund ka thyer edhe derën e banesës së viktimës.

Në momentin e ndërhyrjes së patrullës policore, ai është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë. Pas matjes së alkoolit në gjak, ka rezultuar në gjendje të dehur me 0.76 promil.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Ardin Nikqit është iniciuar procedurë hetimore për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Mospërfillje e Gjykatës”.

Prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim policor dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT