Publikimi i një fotografie familjare në një agjenci për lidhje martesore ka shkaktuar shqetësime të mëdha për një grua nga Prizreni, e cila pretendon se imazhi i saj është përdorur pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.
Sipas saj, fotografia është marrë nga albumet familjare dhe është publikuar në internet sikur ajo të ishte në kërkim të një partneri për martesë. Ky veprim, sipas familjes, ka shkaktuar konflikte serioze në jetën e saj bashkëshortore dhe ka dëmtuar reputacionin e saj.
Familjarët dyshojnë se pas publikimit qëndron një agjenci martesore që dyshohet se ka mashtruar qytetarë duke u premtuar partnerë për martesë në këmbim të parave. Rasti është raportuar në Polici, ndërsa familja thotë se ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete nga institucionet për këtë çështje.
Ndërkohë, personi i dyshuar për drejtimin e kësaj agjencie, Naxhije Ramadani, i ka mohuar të gjitha akuzat. Ajo pretendon se letërnjoftimi i saj është humbur dhe se dikush tjetër mund ta ketë përdorur identitetin e saj për të tërhequr para nga persona të ndryshëm.
Edhe pse përballë kamerës me prova të transfereve bankare dhe incizime telefonike, Ramadani ka këmbëngulur se nuk ndihet fajtore dhe se për çdo dyshim duhet të vendosin institucionet e drejtësisë.
Në anën tjetër, ish-bashkëshorti i saj thotë se aktivitetet e saj i kanë sjellë probleme edhe atij, duke pohuar se persona të ndryshëm i kanë shkuar në shtëpi për të kërkuar llogari për mashtrimet e pretenduara. Ai thotë se e ka denoncuar rastin në polici dhe kërkon që institucionet të veprojnë sa më shpejt.


