Dy zyrtarë të KEDS-it në Ferizaj janë arrestuar dje nën dyshimin për pranimin e ryshfetit në sektorin privat, pasi dyshohet se kanë marrë para në këmbim të përshpejtimit të një procedure zyrtare.
Burime nga struktura të afërta me hetimin bëjnë me dije se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale në Ferizaj, në koordinim me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka realizuar veprime të veçanta hetimore në bashkëpunim me ankuesin.
Sipas dyshimeve, Endrit Kuleta rreth 25 vjeç, me pozitë Koordinator i Lidhjeve të Reja dhe Blend Behluli rreth 25 vjeç, Koordinator i Njësisë së Kontrollit në Departamentin e Humbjeve të Energjisë Elektrike në KEDS-Ferizaj, kanë pranuar nga ankuesi A.H. rreth 33 vjeç, shumën prej 400 eurosh, para të evidentuara paraprakisht, me premtimin se do të përshpejtonin zëvendësimin e njësorit elektrik.
Paratë dyshohet se janë pranuar në zyrën e tyre në katin e parë të objektit të KEDS-it në Ferizaj. Gjatë kontrollit, shuma e parave është gjetur në xhepin e pantallonave të njërit prej të dyshuarve, ndërsa dyshohet se kërkesa për pagesën ishte bërë nga i dyshuari tjetër.
Me këto veprime, dy zyrtarët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat”, sipas nenit 309 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe, me aktvendim të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.
Rasti mbetet nën hetime, ndërsa priten veprime të tjera procedurale nga organet e drejtësisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


