Ekonomisti Bashkim Mustafa ka kritikuar Qeverinë dhe partinë në krye, Lëvizjen Vetëvendosje, që ishte kundër uljes së akcizës dhe heqjes së TVSh-së për naftën.
Sot përndryshe në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kuorum për votimin e rezolutës së LDK-së për një gjë të tillë.
“Nuk është hera e parë që Qeveria nuk është e përgjegjshme ndaj qytetarëve të vendit, votuesve dhe të gjithëve në nivel të vendit”, ka thënë Mustafa në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Kjo po dëshmohet dhe u dëshmua edhe në ditët e sotme që nuk po e sheh ekonominë apo partneritetin me qytetarët e vendit, por po e sheh vetëm mbushjen e buxhetit dhe interesat e tyre personale dhe interesat e tyre qeveritare”.
“Gjithsesi se të drejtë në këtë rast kishte opozita, me plot të drejtë e bëri debatin në formë të argumentuar, në formë profesionale dhe patjetër që do të duhej të kalonte ligji për uljen e akcizës dhe TVSh-së, por fatkeqësisht nuk gjeti mbështetje dhe nuk kam pritur të gjejë mbështetje nga Qeveria e cila ka një mendësi staliniste dhe leniniste, dhe qasja e tyre është dekurajuese për qytetarët e vendit të cilët me çdo kusht tentojnë t’i varfërojnë dhe në anën tjetër t’u japin lëmosha dhe t’u thonë ‘faleminderit’”.


