Edhe VV-ja dërgon komente në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe

news image

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, në një konferencë për media të mërkurën ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe për çështjen e nënkryetarit serb të Kuvendit.

Haxhiu theksoi se “Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik” dhe se askush nuk ka të drejtë të vendosë veto mbi organet e vendit.

“Së pari dua të theksoj se shteti ynë është unitar dhe jo multietnik. Ky model është rregullatori i Republikës sonë demokratike. Në shtetin tonë të pavarur në vitin 2008, asnjë grup etnik, gjinor a shoqëror nuk e ka të drejtë ne vetos mbi organet tona që konstatojnë republikën. Ne qytetarët jemi palë të barabarta.”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se Pakoja e Ahtisaarit, që i parapriu Kushtetutës, ka siguruar vende të rezervuara për komunitetet joshumicë, por jo të drejtën e vetos. Ajo theksoi se Kushtetuta e Kosovës ka shmangur qëllimisht të drejtën e vetos për deputetët e komuniteteve, për të garantuar funksionalitetin e institucioneve.

Nënkryetarja e Kuvendit bëri të ditur se Vetëvendosje ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të hedhë poshtë kërkesën e Listës Serbe dhe e ka cilësuar të papranueshme masën e përkohshme që është vendosur mbi këtë kërkesë. Ajo e konsideroi Listën Serbe si një kërcënim për stabilitetin dhe demokracinë e vendit.

Të premten e javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi një masë të përkohshme që ndalon deputetët të ndërmarrin veprime dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re. Masa u vendos ex officio, bazuar në kërkesën e deputetëve të Listës Serbe.

Në fund të gushtit, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Asnjë deputet i komunitetit serb nuk mori vota të mjaftueshme për nënkryetar, ndërsa kryetari i ri, Dimal Basha, shpalli institucionin të konstituuar.

Pas këtij vendimi, Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimi i Bashës shkel Kushtetutën për ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/