Edhe Rusia e pret pozitivisht planin e Trumpit për paqe në Gaza: Duam që të zbatohet

news image

Kremlini tha të enjten se shpreson që plani i paqes për Gazën i presidentit amerikan, Donald Trump, do të zbatohet dhe do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme.

Trumpi të hënën e siguroi mbështetjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për një propozim të paqes të sponsorizuar nga ShBA-ja që t’i jepet fund luftës gati dyvjeçare në Gaza, por lindi pyetja se a do të pranohet plani edhe nga Hamasi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një bisedë me gazetarë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Rusia gjithmonë mbështet dhe mirëpret çfarëdo përpjekje nga Trumpi që për qëllim e ka përfundimin e tragjedisë që është duke u shpalosur aktualisht.”

Ai shtoi: “Dhe, natyrisht, ne dëshirojmë që ky plan të zbatohet dhe ta ndihmojë sjelljen e ngjarjeve në Lindjen e Mesme te një konkluzion paqësor.”

Rusia i ka kritikuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza gjatë luftës atje, në kohën e përafrimit të qëndrimeve me armikun e palëkundur të Izraelit, Iranin.

Moska ka thënë për një kohë të gjatë se një zgjidhje me dy shtete është mënyra më e mirë për ta zgjidhur konfliktin mes izraelitëve e palestinezëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/