“Edhe po flet a?!”, Rama i reagon Muratit: Ti po i bllokon qëllimisht mjetet e Prishtinës

“Edhe po flet a?!”, Rama i reagon Muratit: Ti po i bllokon qëllimisht mjetet e Prishtinës

Debati për menaxhimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës ka marrë hov vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale, me shkëmbime të ashpra akuzash mes ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama.

Murati deklaroi sot se Komuna e Prishtinës ka kthyer qindra milionë euro të pashpenzuara gjatë viteve të fundit, duke e cilësuar këtë si një dështim të rëndë në menaxhimin e fondeve publike.


Menjëherë pas deklaratës së Muratit, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Ministria e Financave është ajo që po i bllokon mjetet e Komunës dhe po rrezikon shërbimet jetike për qytetarët.

“HEKURAN, i ke bllokuar të hyrat vetanake që i paguajnë qytetarët e Kryeqytetit! Edhe po flet a?! Me këtë veprim po rrezikon ushqimin e fëmijëve në shkolla, shërbimet emergjente, transportin publik dhe ndihmën për familjet në nevojë”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se janë 35 milionë euro mjete të bllokuara nga Ministria, të cilat janë të aprovuara me Ligjin për Buxhetin e vitit 2025, përfshirë këtu edhe grantin qeveritar dhe të hyrat vetanake.

Sipas Ramës, vonesat dhe kthimi i mjeteve ndodhin për shkak të bllokadave politike në Kuvend, ku propozimet për shfrytëzimin e buxhetit janë refuzuar nga përfaqësuesit e LVV dhe PDK.

Ai shton se edhe 28.6 milionë euro të bartura nga viti paraprak nuk janë miratuar në Kuvend, duke penguar realizimin e projekteve të planifikuara.

Për më tepër, kryetari i Prishtinës thekson se mosalokimi i mjeteve vetanake është shkelje kushtetuese, pasi cenon autonominë financiare të komunës dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbime publike.

Në fund të reagimit të tij, Përparim Rama e akuzon Muratin për paaftësi dhe për përdorimin e pozitës së tij për qëllime politike.

“Ne kemi kërkuar disa herë që të respektohet Ligji për Buxhetin dhe të zhbllokohen menjëherë mjetet e Komunës. Apo thjesht ti ministër nuk e din, siç është dëshmuar disa herë që nuk e din punën tënde!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/