Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nisi të hënën një vizitë në Katar, ku do të marrë pjesë në një samit urgjent arabo-islamik të mbajtur pas sulmit izraelit të javës së kaluar në Doha.
Presidenti Erdogan shoqërohet ndër tjerash edhe nga kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), Ibrahim Kalin, dhe nga Akif Cagatay Kilic, këshilltari kryesor i presidentit për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Samiti arabo-islamik në Doha mbledh së bashku krerët e shteteve dhe zyrtarë të lartë nga i gjithë rajoni.
Samiti u thirr nga Katari në përgjigje të sulmit izraelit që shënjestroi udhëheqësit e Hamasit në Doha javën e kaluar, duke vrarë pesë anëtarë të grupit dhe një oficer sigurie nga Katari.
“Është koha që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë së aplikuari standarde të dyfishta dhe të ndëshkojë Izraelin për të gjitha krimet që ka kryer”, tha Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministri dhe ministri i jashtëm i Katarit, në një takim të dielën.
“Ky regjim ka sulmuar shumë vende islamike, përfshirë Katarin, Libanin, Irakun, Iranin dhe Jemenin”, tha ai.
Sipas tij, Izraeli “bën çfarë të dojë dhe për fat të keq, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane gjithashtu i mbështesin këto veprime”.
Katari, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, ka qenë ndërmjetës në negociatat për t’i dhënë fund luftës izraelite në Gaza, ku gati 65,000 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. /Telegrafi/