Në emisionin “Shoqet” në Klan Kosova, këtë herë u diskutua rasti i dëmtimit dhe shqyerjes së flamurit nga dy të mitur në fshatin Studençan të Suharekës.
Ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra, sidomos te panelistja Eda, e cila u shpreh e indinjuar nga veprimi i të rinjve.
Ajo shprehu zhgënjimin edhe ndaj deklaratës së prokurorit të rastit, i cili tha se nuk do të ndërmerren masa pasi veprimi ishte bërë pa menduar mirë dhe pa qëllim përfitimi.
“Policia i ka ndaluar dhe i kanë intervistuar në prani të prindërve. Mandej, prokurori i rastit, pasi ata kanë kërkuar falje, ka treguar që nuk përbëhet rast sepse e kanë bërë pa e menduar mirë, dhe nuk e kanë bërë për asnjë lloj përfitimi apo diçka tjetër”.
“Gjë që unë e shoh edhe si shkelje nga ana e prokurorit sepse nuk mundet asnjë lloj prokurori në botë të shkel mbi simbolet e një kombi. Unë jam rritur në Shqipëri që flamuri për mua nuk ishte A, B, C-ja e jetës sonë, dhe shpesh madje në familje kur kam ardhur në Kosovë më thonin se ju të Shqipërisë ‘hajt, flamurin e kishi si leckë’”, u shpreh Eda.
E njëjta theksoi se të miturit e kanë përdhosur flamurin kombëtar me veprimin e tyre.
“Të vijmë sot në 2025-në, gjenerata e re që nuk është rritur e lindur me flamurin kuq e zi, që nuk është rritur me ndjesinë kombëtare, ta shohësh si e përdhosë një simbol për të cilin se sa gjak është dhënë për atë flamur, dhe sa njeri ka rënë për atë flamur, tha ajo.
Në fund, panelistja e përmbylli me një mesazh për rëndësinë e respektit ndaj flamurit dhe simboleve kombëtare.
The post Eda reagon ashpër për shqyerjen e flamurit kombëtar: E përdhosën, për të u dha gjak (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.