Organizata “Ec Ma Ndryshe” ka publikuar të dhënat e hulumtimit “Pse i hedhim mbeturinat në lum?”, i cili ka pasur në fokus lumin Lumbardh të Prizrenit.
Sipas organizatës, lumenjtë janë burime jetike për njerëzit dhe ekosistemet, por presioni i shtuar nga urbanizimi, industrializimi dhe praktikat e pakontrolluara bujqësore e kanë kthyer ndotjen e ujërave sipërfaqësore në një ndër sfidat kryesore mjedisore.
Qëllimi i hulumtimit ka qenë analizimi i perceptimeve, arsyeve dhe praktikave të qytetarëve lidhur me hedhjen e mbeturinave, si dhe matja e nivelit të vetëdijes e përgjegjësisë qytetare.
Të dhënat e mbledhura japin një pasqyrë të qartë mbi gjendjen aktuale të lumit dhe pasqyrojnë mendimet e komunitetit për zgjidhje të mundshme.
Bazuar në gjetjet e studimit, “Ec Ma Ndryshe” ka hartuar rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse dhe ka propozuar nisma për fushata ndërgjegjësimi e veprime praktike që synojnë mbrojtjen e lumenjve në Prizren. /Telegrafi/