E thirri për luftë qenësh, pastaj e vrau me thikë – aktakuzë ndaj të pandehurit për vrasjen në Prizren

E thirri për luftë qenësh, pastaj e vrau me thikë – aktakuzë ndaj të pandehurit për vrasjen në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.B., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 11 gusht 2025, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se me datë 10.08.2025, rreth orës 20:30min, në lagjen ‘Tusus’, në rrugën ‘Lapidari’ në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta.


Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur pas një përleshjeje të organizuar mes qenve, ku viktima H.Sh., pas përfundimit të ngjarjes, ishte duke u larguar nga vendi. Në atë moment, i pandehuri e ka ndjekur dhe më pas e ka sulmuar papritur me thikë, duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se “lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës.”

Gjithashtu, Prokuroria bën të ditur se i pandehuri ka poseduar pa leje valide armën e ftohtë – thikën me gjatësi tehu prej 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën dyshohet se ka kryer vrasjen.

“Me këto veprime i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ sipas KPRK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, sa i përket ngjarjes paraprake përleshjes mes qenve Prokuroria njofton se rasti është ende në trajtim nga Departamenti i Përgjithshëm:

“Rasti është duke u trajtuar ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qen”, në bazë të veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” nga neni 346 i KPRK-së.

Në përfundim të njoftimit, Prokuroria bën të ditur se prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, “i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.” /Telegrafi/