E mërkurë, 6 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajme“E takova pronaren serbe në Beograd, tokën e bleva nga ajo”

“E takova pronaren serbe në Beograd, tokën e bleva nga ajo”

R.B, nga Kçiçi i Mitrovicës, para katër vjetësh e ka blerë një tokë prej 89.40 ari në këtë komunë, për të cilën thotë se ka paguar 50 mijë euro.

Megjithatë, ai ende nuk po arrin ta shijojë pronësinë e tokës, të cilën e ka regjistruar në emrin e tij dhe të bashkëshortes B.B

Kjo si shkak i një kontesti të hapur me qytetarin Bajram Sylejmani, i cili pretendon se toka i takon familjes së tij që nga vitet ’50.

Toka në fjalë ndodhet në afërsi të rrugës së hekurudhës, në vendin e njohur si “Nën Kazermë”, një zonë që sot po bëhet epiqendër e një debati të ashpër pronësor.

Në dy takimet me gazetaren, 49 vjecari R.B, tregoi të gjithë versionin e tij të historisë, por nuk pranoi të dalë publikisht, me arsyetimin se prindërit e tij janë të moshuar dhe lajmet mund t’ju shkaktojnë shqetësime shëndetësore.

Idenë për ta blerë këtë tokë, e cila tashmë figuron në emrin e tij e të bashkëshortes, tregon se nuk e kishte menduar kurrë, deri sa një mik i tij serb, me të cilin bashkëpunonte prej vitesh në Lipjan, ia propozoi si mundësi.

Toka afër lumit Sitnica, 49 vjecarit i kishte pëlqyer fort. E sidomos pasi ishte vetëm tre-katër  kilometra afër shtëpisë ku jeton në Kçiç.

Megjithatë për këtë pronë thotë se nuk kishte dëgjuar më parë.

Për herë të parë, R.B. e pa parcelën në vjeshtën e vitit 2021.

Pak muaj më pas, në shkurt të 2022-tës, ai nënshkroi kontratën noteriale për blerjen e saj nga Nadezda Jašić, trashëgimtarja e vetme e ish pronarit serb Radoslav Brusiq.

49 vjeçari tregon se për herë të parë dhe të vetme, ishin takuar me pronaren Jašić në  Beograd, për të diskutuar rreth çmimit, në praninë e ndërmjetësuesit serb nga Kosova, për të cilin thotë se me 96 vjeçaren ka lidhje familjare.

Atë ditë, thotë se i kishte dhënë dhe një pjesë të parave, si kapar.

Por, para se ta blinte tokën thotë se kishte hulumtuar për të.

R.B. tregon se, para se të përfundonte marrëveshjen, u përpoq të bisedonte edhe me Bajram Sylejmanin.

Por nuk kaloi shumë dhe Bajram Sylejmani nisi një betejë gjyqësore, duke pretenduar se kontrata e shitblerjes ishte e falsifikuar dhe se pronësia i takon familjes së tij që nga vitet e 50-ta.

Sipas R.B, toka që ka blerë, pra mbi 89 ari janë pjesa e vetme private në një rreth të mbushur me prona publike.

Njëra anë i përket Trepçës, tjetra Hekurudhës, e pjesa tjetër ndërmarrjes Hidroteknika.

Sipas informatave të siguruara nga Kiks Kosova, përveç shumës prej 50 mijë euro të transferuar në xhirollogarinë e Nadezda Jašić, 49-vjeçari dyshohet të ketë paguar edhe 200 mijë euro të tjera në para të gatshme përmes një ndërmjetësuesi.

Ai vetë e pranon vetëm shumën e transferuar dhe thotë se për blerjen e tokës ka punuar bashkë me familjen për vite të tëra, madje për këtë ka marrë edhe kredi.

Sipas tij, tokën në fjalë e ka blerë për nevojat e familjes dhe është e vetmja që e ka blerë gjatë gjithë jetës.

Këtë situatë, ai e sheh si një përpjekje të vonuar për të fituar diçka që s’është dokumentuar kurrë.

The post “E takova pronaren serbe në Beograd, tokën e bleva nga ajo” appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT