Një incident i rrezikshëm ka ndodhur në linjën hekurudhore në Sheshin e Republikës në Kayseri të Turqisë, ku një grua e re, e shpërqendruar nga kufjet në vesh, tentoi të kalonte shinat e tramvajit pa vërejtur se po afrohej mjeti.
Rojet e sigurisë, duke vënë re situatën, reaguan menjëherë dhe e larguan gruan nga shinat në sekondat e fundit, duke e shpëtuar nga shtypja. I gjithë momenti u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe një kamerë brenda tramvajit.
Bashkia e Kayseri publikoi një reagim pas ngjarjes, duke theksuar rëndësinë e kujdesit në kalimet hekurudhore: “Ky incident është një kujtesë e rëndësishme për të gjithë ne. Falënderojmë rojën tonë të sigurisë për sjelljen e tij të kujdesshme”, thuhet në njoftimin e bashkisë.
Në deklaratë shtohet më tej:
“Megjithatë, ajo që duhet t’i kushtojmë vëmendje është që të gjithë pasagjerët të jenë më të kujdesshëm në linjat hekurudhore. Ju lutemi përdorni kalimet për këmbësorë. Kontrolloni të dyja drejtimet kur kaloni. Mos harroni se nuk do të jeni në gjendje të dëgjoni tingujt përreth me kufje në vesh”.
Pamjet filmike tregojnë momentin dramatik kur roja e sigurisë, duke rrezikuar edhe jetën e tij, e tërheq gruan nga shinat vetëm pak çaste para se tramvaji të kalojë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!