E rëndë: Vetura e godet për vdekje këmbësoren në fshatin Gjonaj të Prizrenit

news image

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Prizren, ku një këmbësore u godit për vdekje nga një automjet, raporton Gazeta Sinjali.

Aksidenti ndodhi në fshatin Gjonaj, teksa viktima ishte duke e kaluar rrugën.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se i dyshuari, E.K., 28-vjeçar nga Zymi i Hasit, drejtues i automjetit të përfshirë në aksident, është dorëzuar në stacionin policor të Prizrenit.

“Me datë 02.09.2025, rreth orës 12:50, Policia e Kosovës ka pranuar një informatë për një aksident trafiku në fshatin Gjonaj, komuna e Prizrenit. Patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se një këmbësore, M.H., rreth 40 vjeç, nga Kabashi i Hasit, ka humbur jetën si pasojë e aksidentit, pasi është goditur nga një veturë derisa ka qenë duke e kaluar rrugën. I dyshuari, E.K., 28-vjeçar nga Zymi i Hasit, drejtues i automjetit të përfshirë në aksident, është dorëzuar në Stacionin Policor të Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit”, ka thënë Bytyqi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/