E ndiqte me mjet prerës në dorë dhe tentoi ta godiste, Policia parandalon një ngjarje kriminale

E ndiqte me mjet prerës në dorë dhe tentoi ta godiste, Policia parandalon një ngjarje kriminale

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës, ndërsa ka arrestuar në flagrancë një 53-vjeçar që dhunoi fizikisht një shtetas dhe tentoi ta godiste me thikë.

Në njoftim bëhet e ditur se një 53-vjeçar dyshohet se më parë ka dëmtuar pronat e një 63-vjeçari, ka tentuar të kanosë atë dhe familjarët e tij, me sëpatë.


“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kosmaç, një 53-vjeçar kishte dhunuar fizikisht një shtetas dhe e kishte ndjekur me mjet prerës në dorë, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve profesionale, është kapur dhe arrestuar shtetasi A. G., 53 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të enjten ka kallëzuar një 28-vjeçar se ky shtetas e ka goditur me grushte dhe e ka ndjekur me thikë në dorë, për disa minuta.

“Gjithashtu, dje, ka kallëzuar një 63-vjeçar, se gjatë muajve prill dhe shtator 2025, shtetasi A. G. i ka thyer xhamat e furgonit dhe së dyqanit dhe ka dëmtuar një automjet tjetër, ndërsa më datë 23.09.2025, e ka konstatuar 53-vjeçarin, në afërsi të banesës së tij, duke mbajtur një sëpatë në dorë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. G., shërbimet e Policisë kanë gjetur 4 mjete prerëse (3 thika dhe 1 sëpatë), të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. /Telegrafi/