Jo shumë kohë më parë, Wissam Ben Yedder bënte diferencën në Sevilla dhe mbi të gjitha te Monaco, ku la gjurmë të thella duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit me 118 gola, pas legjendës Delio Onnis (223).
Sulmuesi francez u largua nga “Principata” në verën e vitit 2024 si lojtar i lirë, por karriera e tij mori një kthesë të papritur.
Vetëm pak javë pas ndarjes me Monacon, ai u përfshi në një proces gjyqësor në Francë dhe në nëntor të vitit 2024 u dënua me dy vite burg për akuzën e përdhunimit. Në atë kohë mbeti pa klub, ndërsa dyert e futbollit evropian iu mbyllën menjëherë.
Në mesin e marsit 2025, Ben Yedder gjeti një mundësi në Iran, duke iu bashkuar Sepahanit. Megjithatë, përvoja e tij atje ishte e shkurtër: ai zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje dhe arriti të shënojë një gol, në përballjen e fundit ndaj Esteghlal Teheran.
Tani, sulmuesi 34-vjeçar ka zgjedhur të përqafojë futbollin turk, duke firmosur me Sakaryasporin, klub i kategorisë së dytë, që ka bërë një nga goditjet më të bujshme të afatit kalimtar. Transferimi i tij u zyrtarizua falë një marrëveshjeje të arritur me klubin iranian për ta liruar nga kontrata, ndërsa afati kalimtar në Turqi mbetet i hapur deri më 12 shtator.
Sakaryaspor rikthehet kështu në qendër të vëmendjes, pasi është një klub me pak histori në Superligën turke. Paraqitja e tyre e fundit në elitë daton nga sezoni 2006/07. Në këtë fillim sezoni, skuadra ka treguar formë të paqëndrueshme (1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje në katër ndeshje), ndërsa afrimi i Ben Yedder shihet si një lëvizje që mund të sjellë përvojë dhe klas në repartin ofensiv.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse sulmuesi francez do të mund të rikthehet në nivelet më të larta, aty ku dikur përmendej krahas emrave si Osimhen, Jhon Durán apo Leroy Sané. Për momentin, sfida e tij e re është të ndihmojë Sakaryasporin të rikthehet mes më të mirëve të futbollit turk. /Telegrafi/