Ëndrrën për një jetë jashtë Kosovës e kishte të rëndësisë së veçantë. Kjo ngase, 29 vjeçari kosovar dëshironte që t’i gjuante patericat, pa të cilat sot nuk mund të ec lirshëm, meqë kishte planifikuar që atje t’i nënshtrohej një operimi të cilin nuk ia kishte besuar mjekësisë kosovare.
Para 7 vjetëve, Zenun Morina, babai i Kushtrimit, të gjithë skenarin e Gjermanisë ia kishte besuar një personi, atë kohë i besueshëm për ta. Ai ia kërkoi 2 mijë euro. Mezi i kompletuan e ia dhanë, raporton Kiks Kosova.
Historia merr tatëpjetën në momentin kur Enver Kastrati mori paratë. Të gjitha planet e familjes Morina ranë në lloç.
Zenun Morina rrëfeu për Kiksin se si i biri i tij dëshironte të dilte në shtetin gjerman për një jetesë më të dinjitetshme dhe se si paratë e mbledhura nga të afërmit e tyre i kishte ruajtur fiks për këtë punë.
Megjithatë, Morina tregoi se Enveri mashtroi djalin e tij me aftësi të kufizuara që gjoja do të ia mundësonte hyrjen në Gjermani azil, kështu duke ia marrë 2000 euro dhe duke u zhdukur bashkë me paratë.
2 mijë euro për dikë mund të duken edhe pak, megjithatë 60-vjeçari thotë që për djalin e tij në vitin 2016 kanë qenë vlerë shume e madhe parash.
Familja Morina, me të parë që paratë e tyre nga Enver Kastrati nuk po i merrnin dot, tek pas 5 vjetëve, në janar të 2022-ës, u drejtuan për në polici dhe prokurori për ta lajmëruar rastin.
Megjithatë as pas kësaj, asgjë nuk ishte ndërmarrë në lidhje me mashtrimin e 2 mijë eurove.
Morina ka thënë se Enverin nuk e panë më kurrë, që nga 2017-a, dhe i njëjti ndonëse verën e 2024-ës kishte dëgjuar që ishte në Kosovë, me t’i shkuar te shtëpia, zbuloi që kishte shkuar në pushime.
Për të, rëndësi ka vetëm shëndeti i Kushtrimit. Traumën e stresin që e kishte përjetuar i biri, Morina thotë se s’ia falë askujt në këtë botë dhe se nuk del asgjë që e kompenson.
Zenun Morina është i vendosur që kësaj pune t’i shkojë deri në fund.
29 vjeçari mbeti në shtëpinë e tij në Kosovë, pa e jetuar ëndrrën e tij në një shtet tjetër dhe pa pasur mundësi që t’i nënshtrohet operimit. Sot shpreson që mund të nxjerrë të paktën paratë që ia vodhën. /Klankosova.tv
The post E mashtroi duke ia marrë 2 mijë euro, 29-vjeçari me aftësi të kufizuara mbeti në Kosovë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.