Vetëm disa muaj pasi i kishte thënë lamtumirë West Ham United, portieri polak Lukasz Fabianski është rikthyer në “London Stadium”. Në moshën 40-vjeçare, ai ka nënshkruar një kontratë deri në fund të këtij sezoni me klubin londinez, duke sjellë sërish përvojën dhe autoritetin e tij në dhomën e zhveshjes.
Pas shtatë viteve të suksesshme me West Ham, Fabianski u largua në fund të sezonit të kaluar duke lënë të hapur mundësinë për të vazhduar karrierën në Poloni si lojtar i lirë. Por, ftesa e papritur nga ish-klubi i tij bëri që ai të kthehej aty ku la gjurmë të thella.
“Jam shumë i lumtur që jam kthyer, sepse ky klub do të thotë shumë për mua. Jam këtu për të mbështetur ekipin dhe për të ruajtur standardet e larta. Kam shumë përvojë dhe besoj se kjo mund të jetë e dobishme. Do të vazhdoj të punoj si gjithmonë, në një nivel të mirë, edhe pse e kuptoj se roli im është i ndryshëm këtë herë”, u shpreh Fabianski për faqen zyrtare të klubit.
Gjatë karrierës së tij me West Ham, portieri polak regjistroi 216 paraqitje. Ai ka mbrojtur gjithashtu për Lech Poznan, Legia Varshava, Arsenal dhe Swansea City, ndërsa në arenën ndërkombëtare numëron 57 ndeshje me Poloninë.
Trajneri i ri i West Hamit, Graham Potter, vlerësoi rikthimin e Fabianskit duke thënë se mbetet portier i nivelit të lartë.
“Lukasz mbetet një portier i nivelit të lartë dhe një profesionist i përsosur. Është zgjedhja ideale për rolin që duhej të mbushnim. Ai e njeh klubin jashtëzakonisht mirë, është i vlerësuar dhe shumë popullor me të gjithë këtu. Personaliteti dhe karakteri i tij do të jenë një shembull i shkëlqyer, veçanërisht për lojtarët e rinj”, deklaroi ai.
Aktualisht, pas tre javëve të para në Ligën Premier, West Ham ndodhet në vendin e 16-të me 3 pikë dhe një golavarazh negativ 4-8, ndërsa rikthimi i Fabianskit shihet si një shtysë e rëndësishme për stabilitetin e ekipit. /Telegrafi/