Kombëtarja e Kosovës ka një mundësi të mirë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, kështu së paku ka deklaruar një ndër prurjet e fundit, Veldin Hoxha, gjatë një interviste për portalin Telegrafi.
Hoxha ishte një ndër prurjet më të fundit që i tha “PO” Kosovës, duke debutuar në fitoren historike dhe shumë të rëndësishme ndaj Suedisë, me rezultat 2-0 në “Fadil Vokrri”.
Në një intervistë për Telegrafin, 22-vjeçari, pjesë e Rubin Kazanit, ka treguar që është krenar që mori vendimin për ta përfaqësuar Kosovën, edhe pse ishte kapiten i grupmoshave U21 të Kroacisë.
“Kosova është shteti i tërë familjes time, kam folur shumë me njerëzit nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe pastaj vendosa që përkas te Kosova”, ka treguar fillimisht ndjenjat e tij mesfushori.
Ai e pranoi se nuk e njihte askënd nga lojtarët te Kosova, mirëpo që secili prej tyre e mirëpriti në mënyrën më të mirë të mundshme.
“U mirëprita shumë mirë, të gjithë futbollistët janë të shkëlqyer. Kemi vërtetë një atmosferë fantastike në skuadër. Në fillim nuk e njihja asnjë nga skuadra. Por, tani u bërë më i afërt më të gjithë dhe kalove kohë me secilin prej tyre”, shtoi Hoxha.
Ai ndër të tjera tregoi se edhe shqiptarët si Mirlind Daku e Dardan ShabanHaxhaj me të cilët luan te Rubin Kazan, i kanë folur shumë për Kosovën.
“Po, flasim me Mirlindin dhe Dardanin shumë për Kosovën dhe më thanë se ishte vendimi më i mirë ky që e mora”, nënvizon Hoxha.
Ai falënderoi tifozët për atmosferën fantastike në Prishtinë, kurse shtoi se ishte ndjenjë e veçantë të luante në fanellën e Kosovës, edhe pse u inkuadrua në kohën shtesë (90+2’).
“Zhvillova pak minuta, mirëpo ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Atmosfera ishte fantastike dhe faleminderit tifozëve për këtë”.
“A erdhën familjarët për ta shikuar ndeshjen? Disa familjarë erdhën për ta shikuar ndeshjen, mirëpo kishte edhe shumë njerëz që erdhën nga fshati im, Restelica, për ta shikuar nga afër ndeshjen”, tregon me emocione mesfushori.
Në fund, Hoxha shtoi se ndaj Zvicrës gabuan duke pranuar gol të hershëm, mirëpo ndihet krenar si Kosova u rikuperua dhe shkëlqeu kundër Suedisë.
“Zvicra është skuadër shumë e mirë dhe është vështirë për të fituar kur merr gola të hershëm, por kishim një rast tjetër ndaj një Suedie të fortë dhe skuadra zhvilloi një top ndeshje, prandaj me plot meritë e morëm fitoren”, ka thënë ai.
Hoxha përndryshe ëndërron të luajë në Kupën e Botës me Kosovës dhe beson se një gjë e tillë është vërtetë e mundur.
“Në futboll gjithçka është e mundur, por duhet të vazhdojmë kështu njëjtë siç luajtëm Suedisë dhe kemi një shans të madh për t’u kualifikuar. Synimet e radhës? Të luajmë në Kupën e Botës me Kosovën”, përfundoi Hoxha për Telegrafin.
Kosova do të kthehet në “aksion” në muajin tetor, si nikoqir i Sllovenisë më 10 tetor, kurse tre ditë më vonë i shkon Suedisë. /Telegrafi/