Zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën po shihen si një tregues i rëndësishëm për situatën politike në vend dhe për qëndrueshmërinë e partive në nivel qendror.
Njohëset e çështjeve politike në vend, Magbule Shkodra, Alma Lama dhe Donika Emini për Telegrafin kanë komentuar ndikimin që mund të kenë këto zgjedhje në zhvillimet e ardhshme politike, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Analistja Magbule Shkodra vlerëson se votimi lokal, ndonëse nuk është i njëjtë me votimin në nivel nacional, do të jetë një pasqyrë e vlefshme për të parë mbështetjen e qytetarëve ndaj partive politike.
“Siç e dimë, pra të dielën votohet për zgjedhjet lokale dhe rezultatet që do t’i shohim nga ky votim janë të rëndësishme sepse do të tregojnë njëfarë mënyre sesi qëndrojnë partitë politike në përgjithësi. Edhe pse e dimë që votimi në nivel lokal nuk është i njëjtë me atë sesi votohet në nivel nacional, megjithatë do të jetë një tregues i mirë për të parë sesa është mbështetja e qytetarëve për secilin subjekt politik”, ka thënë Shkodra në një prononcim për Telegrafin.
Ajo ka shtuar se rezultatet mund të ndikojnë edhe në vendimet për zhvillime politike në nivelin qendror.
“Do të ketë një rëndësi të shohim sesi do të reflektojnë pastaj në zgjidhjen e situatës në nivel qendror. Por dua të them se p.sh. partia që tani në nivel qendror është e para LVV, nëse nuk del mirë në zgjedhjet lokale, atëherë me siguri që nuk do ta ketë në interesin e saj të shkohet në zgjedhje të parakohshme në nivel qendror, sepse do të shohë se nuk ka përkrahjen dhe me siguri do të ketë rënie”, theksoi Shkodra.
Sipas saj, reflektimi i rezultateve lokale në zhvillimet qendrore është i pashmangshëm.
“Do të ketë kësisoj implikimesh, megjithatë është mirë të shohim sesi do të radhiten subjektet politike në nivel lokal, e kjo patjetër që do të reflektojë në atë sesi të shkohet tutje në nivelin qendror”, tha Shkodra.
Në anën tjetër Alma Lama thekson se këto zgjedhje vijnë pas një krize të thellë institucionale dhe mund të japin një pamje më të qartë të realitetit politik.
“Zgjedhjet e së dielës do të jenë një pasqyrë e saktë se si qëndrojnë partitë politike përsa iu përket rezultateve, pas krizës së bllokimit 7-mujor të Parlamentit dhe bllokimit të institucioneve”, u shpreh Lama.
Në një prononcim për Telegrafin, Lama sugjeron se nëse LVV pëson rënie, kjo mund të çojë në ndryshime në sjelljen e saj politike.
“Gjasat janë që rezultatet e 9 shkurtit kanë ndryshuar. VV si parti e parë, nëse do të ketë rënie, siç po flitet, ka gjasa të ndryshojë sjelljen politike dhe të bëjë përpjekje serioze për gjetjen e një partneri qeverisës”, tha Lama.
Lama tutje shton se nëse partitë opozitare dalin më të forta, ato do të shtyjnë më shumë drejt zgjedhjeve të reja.
“Ndërsa partitë ish-opozitare, nëse kanë rritje, pritet të jenë më shumë të interesuara për zgjedhje. Kështu që mendoj se nga e hëna do të mund të lexojmë më mirë situatën”, tha Lama.
Analistja shton se rezultatet në nivel lokal mund të ndikojnë edhe në koalicione të mundshme në balotazh dhe zbutje të tensioneve politike.
“Gjithashtu, në raundin e dytë për kryetarë komunash mund të ketë koalicione për partitë që dalin në balotazh. Kjo mund të çojë në zbutjen e qëndrimeve apo tensioneve”, u shpreh ajo.
Ndërkaq Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit ka theksuar se suksesi në nivel lokal shihet nga partitë si një investim strategjik, i cili më vonë mund të përkthehet në fuqi politike në nivel nacional.
“Për këtë arsye, pritet që çdo angazhim serioz për formimin e qeverisë të ndodhë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, pra pas 12 tetorit, ose pas raundit të dytë në rast të balotazhit. Nëse dinamika paszgjedhore ndryshon, veçanërisht nëse Vetëvendosje rrit përqindjen e saj, mund të shohim përpjekje për zgjedhje të reja parlamentare që shtyhen nga kjo part si mandatare për të krijuar qeverinë”, ka theksuar Emini.
Ajo ka shtuar se rezultatet e zgjedhjeve mund të ndryshojnë ndjeshëm raportet mes partive kryesore.
Sipas Eminit në varësi të suksesit ose dështimit në terren, partitë mund të zgjedhin të kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare ose, përkundrazi, të reflektojnë dhe të lëvizin drejt kompromisëve që do të parandalonin një cikël të ri zgjedhjesh dhe do të lehtësonin menaxhimin e situatës politike, sidomos për zgjedhje të presidentit në mars 2026.
“Edhe pse aktualisht është e vështirë të parashikohet ndonjë koalicion ne nivel qendror, bashkëpunimi që mund të lindë në nivel lokal mund të krijojë hapësirë për afërsi politike më të mëdha në të ardhmen. Pasi partitë të çlirohen nga presioni elektoral dhe pritshmëritë e votuesve, mund të jenë më të hapura për negociata dhe për formimin e koalicioneve që do të mundësonin jo vetëm krijimin e qeverisë së re, por edhe zgjedhjen e presidentit”, ka theksuar Emini për Telegrafin.
Ajo shton se ky skenar duket më i mundshëm sesa ai i zgjedhjeve të reja parlamentare, sidomos nëse partitë përballen me realitet që nuk i jep avantazh të madh në rast se kemi zgjedhje të reja në nivel qendror.
Zgjedhjet lokale të së dielës pritet të jenë më shumë sesa një garë komunale. Ato mund të jenë një provë për legjitimitetin dhe pozicionin e partive politike në prag të vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e qeverisjes në vend. /Telegrafi/