Gjendja e një shkolle në fshatin Broliq të Pejës, është e mjerueshme.
Pamjet e dërguara në redaksinë e Klankosova.tv nga një qytetar tregojnë një objekt të demoluar, me mure të dëmtuara, dritare të thyera e libra në dysheme. Qytetari që ka dokumentuar situatën, tha se kushdo që ka çuar deri në këtë gjendje shkollën, është “marre” për të.
Klankosova.tv u interesua për këtë shkollë dhe ka kontaktuar Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Pejës për të mësuar më shumë rreth rastit. Drejtori i Arsimit të këtij qyteti, Naser Gega sqaroi se shkolla në fjalë është e braktisur që nga viti i kaluar dhe se aty nuk zhvillohet më mësim.
I njëjti u shpreh se kjo u bë për shkak të numrit të vogël të nxënësve në këtë fshat.
“Shkolla është mbyllur, nuk është hapur. Kjo për shkak të numrit të vogël të nxënësve nuk do të hapet”, tha Gega.
Gega pohoi se këta nxënës, komuna me transportin që u ka caktuar i dërgon për të zhvilluar mësimin në shkollën e fshatit Krushevc.
The post E demoluar krejtësisht, pamje tronditëse të një shkolle në Broliq të Pejës (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.