Një dyvjeçar nga fshati Vrajakë e Rahovecit, ka ndërruar jetë në QKUK pasi më 31 gusht të këtij viti ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në kokë.
Lidhur me këtë rast të rëndë, policia ka dhënë më shumë detaje.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha për Klankosova.tv, se fëmija pas lëndimit ishte dërguar për tretman mjekësor në spitalin e këtij qyteti, dhe më pas ishte transferuar në QKUK, ku edhe ka vazhduar trajtimin.
Megjithatë, vogëlushi ndërroi jetë sot.
“Me datë 31.08.2025, rreth orës 16:30, stacioni policor në Rahovec është njoftuar se në fshatin Vrajakë-Rahovec, ka ndodhur një rast lëndim aksidental. Sipas informatave të para të pranuara, viktima – një fëmijë i gjinisë mashkull, i lindur në vitin 2023, ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në kokë. Fillimisht ai është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal të Gjakovës, e më pas është transferuar në QKUK , ku ka vazhduar trajtimin mjekësor. Sot jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar të iniciohet rast “Hetim i Vdekjes”, tha Elezaj, njofton Klankosova.tv.
The post Dyvjeçari pësoi lëndime në kokë pasi u rrëzua – policia jep detaje appeared first on Klan Kosova.