Dyshohet për spiunazh, një muaj paraburgim për pilotin kroat dhe të dashurën e tij nga Kosova

Dyshohet për spiunazh, një muaj paraburgim për pilotin kroat dhe të dashurën e tij nga Kosova

Gjykata e Qarkut të Splitit ka caktuar masën e paraburgimit për pilotin kroat dhe të dashurën e tij nga Mitrovica e Veriut, nën dyshimet për spiunazh.

Për veprën penale të spiunazhit, atyre iu vendos masa e paraburgimit për shkak të ndikimit të mundshëm mbi dëshmitarët ose për shkak të rrezikut se do të shkatërronin, fshihnin ose falsifikonin provat, pra gjurmët e rëndësishme për procedurën e provave, ndërsa ishin në liri.

Përveç kësaj, gruaja e dyshuar u dënua me paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, duke pasur parasysh se është shtetase e huaj. Sipas Kodit Penal, dënimi për këtë vepër penale është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Raportohet se çifti ishte arrestuar qysh një muaj më parë, në fund të korrikut, në një nga ishujt e arkipelagut të Splitit.

Të dy ndodheshin atje për pushime, pasi prej vitesh ishin në lidhje dashurie. Pas arrestimit, piloti kroat u lirua, ndërsa e dashura e tij u dërgua për një muaj në Qendrën Tranzitore për të Huaj në Trilj, me vendim që më pas të dëbohej nga Kroacia për 10 vjet.

Megjithatë, gjatë kohës sa ajo ishte në Trilj dhe ai në një vend të panjohur, hetuesit, me urdhër gjykate kontrolluan pajisjet e tyre celulare dhe komunikimin ndërmjet tyre, ku gjetën mesazhe komprometuese, të cilat bënë që ata të dyshohen për spiunazh ndërkombëtar.

The post Dyshohet për spiunazh, një muaj paraburgim për pilotin kroat dhe të dashurën e tij nga Kosova appeared first on Klan Kosova.