Dyshimet për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit të Tetovës, seanca gjyqësore shtyhet për më 8 tetor

Dyshimet për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit të Tetovës, seanca gjyqësore shtyhet për më 8 tetor

Fillimi i procesit gjyqësor për çështjen që lidhet me ndërtimin e ndërtesës së re të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë është shtyrë përsëri. Seanca kryesore, e cila u ricaktua për sot, nuk do të zhvillohet për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve dhe ndryshimit të disa prej avokatëve.

Siç kumtoi gjykatësi Elvedin Ferati, i akuzuari Sejdi Shasivari nuk mori pjesë në seancë për arsye shëndetësore, për të cilat avokati i tij paraqiti dokumentacionin përkatës mjekësor. Përveç kësaj, dy nga të akuzuarit – Artan Arsllani dhe Haki Fazliu – angazhuan një avokat të ri i cili kërkoi shqyrtim të lëndës.


“Meqenëse i akuzuari Sejdi Shasivari nuk është i pranishëm, dhe të akuzuarit Artan Arsllani dhe Haki Fazliu kanë angazhuar një avokat tjetër i cili kërkon shqyrtimin e lëndës, nuk janë përmbushur parakushtet ligjore për mbajtjen e seancës kryesore. Gjykata ka vendosur ta shtyjë seancën, theksoi gjykatësi Elvedin Ferati.

Kjo është shtyrja e dytë e procesit – seanca fillestare dëgjimore ishte planifikuar për 14 korrik, por u shty për sot (17 shtator). Data e re është caktuar për 8 tetor në orën 10:00. Në dhjetor të vitit 2024 Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit informoi se pas kryerjes së një procedure hetimore gjithëpërfshirëse deri në Gjykatën themelore penale ka ngritur aktakuza kundër katër personave dhe për një person juridik.

Të akuzuarit janë Sebi Shasivari, pronar dhe drejtor i personit juridik të akuzuar nga Tetova Urban plan konstrakshën, Haki Fazliu drejtor i atëhershëm i Institucionit nacional – Qendra për kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë, Artan Arsllani kryetar i Komisionit për prokurime publike, ndërsa më pas u.d drejtor i Qendrës për kulturë, si dhe Bajram Muça si inxhinier kryesor mbikëqyrës në personin juridik të angazhuar si organ mbikëqyrës gjatë zbatimit të kontratës për prokurim publik nga viti 2015 deri në vitin 2020.

Prokuroria atëherë njoftoi se i akuzuari i parë, Shasivari dhe i akuzuari i dytë, personi juridik kanë kryer vepër penale të vazhduar – Keqpërdorim me procedurën e thirrjes publike, dhënien e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat sipas nenit 275-v të Kodit penal. Të akuzuarit Fazliu dhe Arsllani kanë kryer vepër penale të vazhduar, keqpërdorim të pozitave dhe kompetencave zyrtare, ndërsa i akuzuari Muça ka kryer vepër penale të vazhduar, punë e papërgjegjshme në detyrë.