Mbi 100 tenderë i fitoi kompania “Ardhmëria” që nga viti 2021 në Komunën e Shtimes.
Nga shtrimi i rrugëve e deri te ndërtimi i parqeve, vlera e 88 projekteve që i fitoi vetëm gjatë mandatit të Qemajl Aliut, arriti në mbi 7.2 milionë euro.
Ndonëse, ligji nuk ia ndalon një kompanie që ta aplikojë për kaq shumë tenderë brenda një periudhe të shkurtër, fitimi i kaq shumë kontratave, sipas njohësit të prokurimit, Diell Haxhimusa, është për hetim.
Një praktikë e tillë, ai thotë se cenon konkurrencën e lirë, si dhe kredibilitetin e autoritetit kontraktues, në këtë rast Komunës së Shtimes.
Mungesa e dispozitave ligjore të cilat ia ndalojnë një kompanie të përdorë punëtorët dhe pajisjet e njëjta në disa tenderë njëkohësisht, sipas Haxhimusës është një mangësi e cila ndikon në mbarëvajtjen e këtyre projekteve.
Kjo pastaj, ai thotë se ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e qytetarëve të cilët preken nga ai projekt.
Përgjegjësia për t’i shmangur shkeljet dhe parregullsitë në procedurat e prokurimit dhe në zbatimin e projekteve nga kompanitë, Haxhimusa pohon se i takon Autoritetit Kontraktues, institucioneve të drejtësisë, si dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.


