Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me një grabitje të armatosur që ka ndodhur dje në rrugën “Ndre Bogdani”, në segmentin ndërmjet fshatrave Zym dhe Bregdri në Prizren.
Sipas policisë, dy persona të panjohur, njëri prej tyre i armatosur, kanë vendosur pengesa në rrugë dhe kanë ndalur një veturë me dy viktima, të moshës 18 dhe 16 vjeç.
Nën kërcënimin e armës, të dyshuarit u kanë marrë viktimave shumën prej 65 dhe 70 euro, ndërsa më pas janë larguar në drejtim të zonës malore.
Sipas deklarimeve të viktimave, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në ajër para largimit.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë. Në konsultim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ka bërë të ditur për Klankosova.tv, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.
“Bazuar në informacionet operative, policia ka identifikuar dy të dyshuar nga fshati Krajkë i Prizrenit. Gjatë kontrollit në një shtëpi, janë gjetur dhe sekuestruar municion dhe pjesë të armëve, me ç’rast është iniciuar edhe rast për “posedim të paautorizuar të armëve”.
“Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe kujdestarit për të miturin, dhe me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti mbetet nën hetime”, thuhet tutje. /Klankosova.tv
Grabitje e armatosur në Zym të Prizrenit – viktimat u përballen me sulm pas një bllokade me gurë


