Dy konsorciume dhe një kompani ia mësynë fazës së dytë të tenderit të rreth 700 mijë eurove për asfaltimin e rrugës Gorancë – Krivenik në Han të Elezit.
Njëra nga konsorciumet u eliminua me arsyetimin se pati mangësi në ofertën e saj, e më pas kompania “Kushtrimi NM”, që ishte pjesë e këtij grupi të operatorëve ekonomikë, u propozua të futet në listën e zezë për falsifikim të dokumenteve.
Në garë mbetën kompania “Rahovica” e Fehmi Krasniqit dhe konsorciumi i udhëhequr nga kompania “Quality Asphalt”, e cila është në pronësi të vëllait të tij, Gazmend Krasniqi, raporton Kiks Kosova.
Pronari i kompanisë “Kushtrimi NM”, Naser Misini, përmes një bisede telefonike i tha Kiks Kosovës se nuk qëndrojnë pretendimet e shefit të Prokurimit, Xhevdet Bushi, se kjo kompani ka falsifikuar dokumentet. Ai e akuzon Bushin se e ka kurdisur këtë tender për kompaninë “Rahovica”, e cila ishte fituese edhe e fazës së parë, prandaj po insiston kaq shumë në eliminimin e “Kushtrimit NM” nga ky projekt.
Se tenderi për këtë rrugë ishte kurdisur për një kompani e thotë edhe vetë pronari i kompanisë “Rahovica”. Por, Fehmi Krasniqi pretendon se ky tender i është premtuar kompanisë “Kushtrimi NM” nga nënkryetari i komunës së Hanit të Elezit, Sevdi Derjnani. Ai i mohon pretendimet e Dernjanit se Xhevdet Bushi ka zyre në kompaninë e tij dhe se ka ndonjë lidhje me shefin e prokurimit në këtë komunë.
Akuzat e nënkryetarit ai pandeh se vijnë pasi që gjoja u zbulua se kompania që ai thotë se e favorizoi Dernjani, falsifikoi dokumentet. Krasniqi paralajmëron se do të bëjë padi ndaj nënkryetarit të Hanit të Elezit i cili deklaroi për Kiksin se Bushi ka zyre në kompaninë “Rahovica”.
Kompania “Rahovica” ka fituar fazën e parë të projektit asfaltimi i rrugës Gorancë – Krivenik dhe nga Zyra e Prokurimit është propozuar të shpallet fituese edhe për fazën e dytë të këtij projekti.
Aktualisht, lloti i dytë i këtij projekti është duke u trajtuar nga Gjykata e Tenderëve.


