Tetë nga mbi 100 projektet të cilat i fitoi kompania “Ardhmëria” e Dashnim Jasharit janë në Reçak, vlera e të cilave arrin në mbi 1.7 milionë euro.
Projektet përfshijnë rregullim të rrugëve e kanalizimit, rivitalizim të kubëzave në rrugë, zgjerim të rrugëve, ndërtim të parkut, ndërtim të sallës sportive në shkollën e Reçakut, ndërtim i urës e i varrezave.
Sipas të sistemit elektronik të prokurimit, asnjëra nga projektet nuk ka përfunduar. Në këtë sistem të gjitha punimet figurojnë se janë ende në realizim.
Për të kuptuar në qoftë se kjo kompani është duke punuar apo jo në këto projekte, Kiks Kosova shkoi në Reçak. Ani pse Komuna e Shtimes më 17 shtator të 2025-ës, e shpërbleu me kontratë të gati 80 mijë eurove kompaninë “Ardhmëria” për rivitalizim të kubëzave në rrugën 28 nëntori dhe zgjerim të rrugës “15 Janari”, këto punë nuk u përfunduan nga kjo kompani.
Kryetari i këtij fshati, Adem Ramadani, e njoftoi emisionin se kompania e Dashnim Jasharit nuk ka vendosur kubëza të reja, por se janë ndërruar disa prej tyre.
Nga objektivi i kamerës së Kiksit u pa se as salla e sporteve në shkollën e këtij fshati e cila u nis qysh në nëntor të 2022-ës, nuk ka përfunduar ende.
Jo një, por tri tendere në vlerë të mbi 147 mijë eurove i mori kompania “Ardhmëria” për rrugë e rrjet të kanalizimit në këtë fshat. Megjithatë, i pari i fshatit, pohon se ndonëse rrjeti është i përfunduar ujëra e zeza të Reçakut ende derdhen në lum.
Rreth 80 mijë euro tender mori kompania “Ardhmëria” për projektin që parashihte edhe zgjerimin e rrugës “15 Janari”. Megjithatë, Ramadani pohon se zgjerimi i kësaj rruge është futur edhe në tenderin e mbi 400 mijë eurove të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Momoriale për Kompleksin “Masakra e Reçakut”, të cilin po ashtu e ka fituar e njëjta kompani.
Sipas njoftimit për kontratë të publikuar në e-Prokurim, data e përfundimit të kontratës për zgjerimin e kësaj rruge është 17 shtatori i këtij viti. Ndërkaq, data e përmbushjes së projektit të kompleksit memorial, ku kryetari i Reçakut thotë se është futur sërish zgjerimi i rrugës “15 Janari” është 19 janari i sivjetshëm.


