Posa të bjerë nata, dy rrugët më të rëndësishme të Kosovës i kaplon errësira totale e dritat e vetme që vërehen janë ato të makinave dhe elementeve anësore të rrugës.
Në asnjë segment të autostradave nacionale të Kosovës, nuk ka ndriçim ndonëse shtyllat ndriçuese janë të vendosura në disa pjesë.
Në autostradën “Arbën Xhaferi”, në gusht të 2018-ës, në segmentin Prishtinë-Han i Elezit, u raportua që ishin vendosur 165 shtylla ndriçimi. Megjithatë sot e asaj dite, për funksionalizimin e tyre, askush nuk bën zë.
Në të njëjtën gjendje është edhe autostrada “Ibrahim Rugova” e cila ndonëse u përurua para 12 vjetëve dhe kushtoi rreth 700 milionë euro, problemin thelbësor, me ndriçim ende nuk e ka të zgjidhur.
Përveç ndriçimit, në dy rrugët më të rëndësishme të Kosovës, mungon edhe elementi tjetër bazik i sigurisë rrugore, stacionet e pushimit.
Hapësirat në të cilat parashihen të ketë tualete, karburante, pika të informacionit, stacione të ndihmës së parë e hapësira për ushqim, janë totalisht të paplota dhe të zbrazëta.
Vozitësit kësisoj në raste urgjente, janë të detyruar që të ndalen në korsinë emergjente sepse nuk kanë zgjidhje tjetër.
Në anën tjetër, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ndonjë plan konkret për progresin e këtyre elementeve në sigurinë rrugore.
The post Dy autostradat milionëshe të Kosovës pa asnjë dritë e pushimore për vozitësit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.