Edhe në mes të shtatorit, Durrësi vijon të ketë fluks pushuesish.
Plazhet dhe hotelet janë plot, ndërsa moti i ngrohtë e temperaturat e larta po e zgjasin atmosferën verore përtej gushtit.
Të shumtë janë pushuesit e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe të huajt që po pushojnë në brigjet e Adriatikut.
“Vij nga Austria. Është hera e parë që jam këtu dhe mendoj se është një vend i bukur, me ushqim të mirë dhe njerëz të këndshëm. Do të qëndrojmë 10 ditë në Shqipëri.”
“Vij nga Maqedonia. Që prej një jave jam këtu. Ka më pak njerëz, pushimi është më i rehatshëm dhe nuk është shumë nxehtë. Çmimet janë të mirë. Do të qëndroj 10 ditë.”
Qetësia, shërbimi dhe çmimet më të ulëta e kthejnë shtatorin në një zgjedhje të preferuar edhe për shumë pushues vendas.
Sipas të dhënave nga sektori i hoteleri-turizmit sezoni veror cilësohet i suksesshëm, ndërsa shumë hotele raportojnë kapacitete të plota deri në fund të Shtatorit, teksa prenotimet vijojnë edhe për muajin tetor.