Gjatë gjykimit në Hagë ku po dëshmon dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Thaçit, u paraqit një deklaratë e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneralit Mike Jackson, e dhënë më 24 maj 2016 në Gjykatën e Lartë në Londër.
Avokatja e Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, lexoi nga kjo deklaratë që Jackson kishte thënë se nuk kishte prova që UÇK-ja të kishte kryer akte dhune ndaj serbëve.
Jackson kishte theksuar se megjithëse nuk përjashtonte mundësinë që disa individë të kenë kryer akte të tilla, nuk kishte prova që këto ishin praktika institucionale të UÇK-së.
Ai shtoi se nuk kishte dëshmi që UÇK-ja të kishte kryer spastrim etnik ndaj serbëve që kishin mbetur në Kosovë gjatë verës së vitit 1999.
Dëshmitari John Duncan u shpreh në përputhje me këtë vlerësim të gjeneralit Jackson. Ai gjithashtu mohoi që Jackson të kishte raportuar ndonjëherë komandës së NATO-s për akte dhune të drejtuara nga Hashim Thaçi ndaj civilëve.
Gjatë seancës, disa pyetje ndaj Duncan u bënë në mënyrë private nga Prokuroria dhe mbrojtja e Rexhep Selimit, e përfaqësuar nga avokati Eric Tully.
Përveç pyetjeve të përgjithshme, Duncan u pyet për emra të ndryshëm, ku shumicën nuk i mbante mend, përveç Shukri Bujës, të cilin e njohu si komandant zone.
Duke folur për numrin e anëtarëve të UÇK-së, dëshmitari tha se shifrat ishin të ndryshme, duke cituar vlerësimet e NATO-s që flisnin për rreth 20 deri në 30 mijë anëtarë pas Marrëveshjes së Demilitarizimit, por që numri i saktë nuk dihej.
Në gjykatë u shfaq edhe një intervistë e Agim Çekut, e lexuar nga prokurori, ku ai deklaronte se si ushtar profesionist, do të luftonte derisa forcat e Sllobodan Millosheviqit të largoheshin nga Kosova, duke lënë politikën në dorë të Qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi.
Dëshmitari Duncan pranoi pjesërisht këtë interpretim, duke sqaruar se Çeku fliste për rolin ushtarak dhe Thaçi për atë politik, duke punuar në koordinim si një ekip.
Gjithashtu, u paraqit një dokument i datës 10 gusht 1999, i adresuar kryetarit të Administratës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Kushner, që përmbante një kërkesë për mbajtjen e armëve nga disa anëtarë të UÇK-së. Dokumenti mbante nënshkrimin e Hashim Thaçit si Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së dhe vulën e organizatës.
Duke u pyetur nga prokurori nëse dinte për përdorimin e këtij titulli nga Thaçi në dokumente të tjera, Duncan tha se nuk kishte arsye që Thaçi ta përdorte këtë titull.
Ai shtoi se kjo kërkesë ishte në kundërshtim me marrëveshjen e demilitarizimit dhe sipas tij, kjo ishte një tentativë për t’i dhënë Thaçit një rol më të madh në marrëveshje. Për më tepër, Duncan tha se kishte mësuar nga KFOR-i për një kërkesë të ngjashme dhe se diskutimi kryesor ishte nëse ajo duhej lejuar apo jo. /Telegrafi/