Ish-diplomati britanik John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, po jep dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai ka folur për rrethanat politike dhe shoqërore të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, si dhe për dallimet kulturore me shqiptarët e Shqipërisë.
“Shqiptarët e Kosovës kanë qenë pjesë e një aparteidi gjatë kohës së Millosheviqit. Kanë qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje dhe gradualisht e gjithë kjo solli spastrimin etnik që e kemi parë të gjithë”, deklaroi Duncan, duke përshkruar situatën si një shtypje sistematike të një populli të tërë.
Ai gjithashtu foli për dallimet e perceptuara midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë:
“Ishin të ndryshëm nga shqiptarët e Shqipërisë. Sipas mendimit tim, nuk e kishin humbur afeksionin ndaj njëri-tjetrit. Ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Po spekuloj. Ju lutem mirëkuptojeni që thjesht është mendimi im.”
Duncan, i cili më parë ka qenë këshilltar i gjeneralit Wesley Clark në NATO, theksoi edhe ndarjet kulturore brenda Shqipërisë:
“Shqiptarët e Shqipërisë janë të ndarë kryesisht në tri zona, veriu me gjakmarrje, klane edhe kjo është pjesa dominuese e historisë dhe kulturës së Shqipërisë. Shqipëria e mesme është disi më e përzier dhe Jugu më i ndikuar nga Greqia.”
Sipas tij, këto elemente kanë ndikuar edhe te shqiptarët e Kosovës: “Pjesa kosovare kryesisht vijnë nga Shqipëria e Veriut; koncepti i nderit, besës. Nuk e di si ta shpjegoj; gjakmarrja, Kanuni ka qenë baza e shoqërisë. Është mënyra se si ata e perceptonin shoqërinë.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!