Dëshmitari britanik, John Stewart Duncan gjatë seancës së sotme në Gjykatën Speciale në Hagë, u pyet në lidhje me “dhunën ndaj civilëve gjatë verës së vitit ’99 në Kosovë”.
Gjatë seancës, ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, paraqiti në sallë një pjesë të dëshmisë së gjeneralit Mike Jackson, e realizuar gjatë majit të vitit 2016, transmeton Klankosova.tv.
“Unë nuk kisha prova nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga pikëpamja institucionale përmes praktikave të veta, kryente akte terroriste kundër personave. Nuk po them që kjo nuk ka ndodhur prej disa personave të caktuar, por nuk kam prova se kjo ishte praktikë e UÇK-së”, thuhej në deklaratën e Jacksonit.
Pos kësaj, në atë vit, Jackson më tej kishte thënë: “Nuk kam prova që UÇK-ja të ketë pasur praktikë të spastrimit etnik të serbëve që kishin mbetur aty”.
Dhe Duncan u pajtua me këtë vlerësim. Ai tha: “Po, në këtë rast pajtohem”.
Mbrojtja më pas e pyeti Duncanin nëse ishte në dijeni që gjenerali Jackson i kishte raportuar komandës së NATO-s se Hashim Thaçi kishte organizuar apo kryer akte dhunë ndaj civilëve. “Jo, për sa di unë”, u përgjigj dëshmitari.
The post Duncan mbështet qëndrimin e Jacksonit për mungesën e spastrimit etnik nga UÇK-ja appeared first on Klan Kosova.