Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur pas fitores historike 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac, duke zbuluar prapaskenat e përgatitjeve dhe frymën që e udhëhoqi ekipin drejt këtij suksesi të madh.
Braziliani theksoi se triumfi ishte fryt i punës së përqendruar dhe bindjes që skuadra duhej të kishte për ta besuar fitoren që nga dita e parë.
“Është një ditë e rëndësishme, një ndeshje e paharrueshme. Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët, edhe për ata që nuk luajtën. Ishte një ndeshje e bukur, një hap i madh përpara, por jo fundi. Na presin edhe dy takime shumë të rëndësishme dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Grupi është i fortë dhe çdo pikë do të jetë vendimtare deri në fund”, deklaroi Sylvinho për TV Klan.
Tekniku brazilian tregoi se përgatitjet për këtë ndeshje ishin të detajuara dhe të fokusuara në çdo aspekt, nga videot analitike e deri te ndërtimi psikologjik i grupit.
“Skuadra punoi vetëm 6 ditë, por gjithçka ishte shumë e shpejtë dhe precize. Ishte një ndeshje që duhej përgatitur për të fituar, por edhe për të mos e humbur. Serbia ka lojtarë të mirë, situata e parë me Vlahovic mund të ishte e rrezikshme, por e menaxhuam mirë presionin dhe e mbajtëm ndeshjen nën kontroll”, shtoi ai.
Sylvinho theksoi se një nga çelësat e suksesit ishte besimi që u injektua te lojtarët.
“Duheshin bindur lojtarët që mund të fitonim këtu, dhe kjo ishte gjëja e parë që u thashë. Në momentin që besuan, gjithçka tjetër u bë më e lehtë”, deklaroi ai.
I pyetur për zgjedhjen e Myrto Uzunit në formacionin titullar, përzgjedhësi shpjegoi se vendimi ishte i menduar mirë.
“Broja përfitoi në ndeshjen e parë, Bajrami ishte shumë i mirë kundër Letonisë, Hoxha po ashtu në duelet një kundër një. Por i vetmi që sulmon hapësirat në mënyrë të vazhdueshme është Uzuni. E pamë këtë në analizë dhe vendosëm për të. Ai bëri shumë mirë në të dy pjesët e lojës”, shtoi Sylvinho.
– YouTube www.youtube.com
Në fund, ai vlerësoi shpirtin e skuadrës dhe bashkëpunimin e stafit teknik.
“Të gjithë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Çdo detaj u përgatit me kujdes. Kjo është një fitore që na jep besim, por jo vetëkënaqësi. Ne do të luftojmë deri në fund për ëndrrën tonë – kualifikimin në Kupën e Botës,” përfundoi Sylvinho. /Telegrafi/