Një nga kandidatët për president të Benficas ka premtuar se do të sjellë Jurgen Kloppin në stol nëse fiton zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
Klopp, gjerman 58-vjeçar, nuk ka drejtuar ndonjë klub që nga largimi i tij në fund të sezonit 2023/24.
Sot, ai ka një rol të ri jashtë stolit të trajnerit – si kreu global i futbollit te Red Bull – dhe ka theksuar vazhdimisht se ka mbaruar me drejtimin e ekipeve, pavarësisht spekulimeve të mediave që e lidhin me klube të ndryshme gjatë vitit të fundit.
Një premtim i madh nga kandidati
Cristovao Carvalho, kandidati për president të Benficas, nuk u ndal përballë këtyre spekulimeve. Ai deklaroi se Klopp është objektivi i tij kryesor në rast fitoreje dhe prezantoi një plan ambicioz për të çuar klubin në finalen e Ligës së Kampionëve brenda pesë viteve.
“Bruno Lage nuk do të qëndrojë me mua pasi të skadojë kontrata e tij në fund të sezonit. Më duhet një trajner i klasit botëror, një që e ka fituar tashmë Ligën e Kampionëve dhe që është i gatshëm ta fitojë këtë trofe edhe me Benfican”.
“Ka vetëm një emër në kokën time: Jürgen Klopp. Ai madje ka thënë se Benfica është një klub i madh dhe se një ditë do të donte ta drejtonte. Dikush që thotë këtë ka më shumë arsye për të qenë në këtë klub sesa kushdo tjetër”, tha Carvalho për gazetën portugeze Sic Noticias.
Carvalho shtoi: “Sot është e qartë se Benfica nuk mund ta fitojë Ligën e Kampionëve, por unë kam një plan financiar që synon këtë objektiv. Mund t’u premtoj tifozëve se brenda katër ose pesë vitesh do të luajmë në finalen e Ligës së Kampionëve”.
Cristovao Carvalho
Çfarë mendon Klopp?
Megjithatë, është e pamundur që ish-trajneri i Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit të pranojë një ofertë të tillë. Klopp deklaroi në qershor se e shijon jetën jashtë fushës dhe nuk ka dëshirë të kthehet në stol.
“Nuk e dua më këtë”, tha ai për Welt, duke iu referuar spekulimeve për një kthim të mundshëm te Bayern Munich. “Tani kam një punë që më përmbush dhe gjithashtu intensive. Nuk fle më gjatë në mëngjes ose nuk shkoj në shtrat më vonë, por mund ta organizoj punën time shumë më mirë”.
Ai shtoi: “Kam drejtuar 1,081 ndeshje, pa përfshirë miqësoret. Nëse i llogarisim të gjitha gjatë 23 viteve, ndoshta janë rreth 1,200. Ishin shumë detyra, konferenca për shtyp, menaxhim mediatik dhe detyra menaxheriale te Liverpooli – me të vërtetë shumë”.
Jurgen Klopp
Benfica ka pritur gjatë
Benfica ka fituar për herë të fundit Kupën Evropiane (tash Ligën e Kampionëve) në sezonin 1961/62, duke mposhtur Real Madridin 5-3.
Ndërkohë, Klopp fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpoolin në vitin 2019, duke mposhtur Tottenhamin. /Telegrafi/