Evropa është alarmuar kohëve të fundit, ku dronë rusë shkelën hapësirat ajrore të disa shteteve evropiane, e anëtareve të NATO-s.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi tha për “Ora Shtatë” se Rusia po përgatitet seriozisht për të sulmuar Bashkimin Evropian, Ballkanin e madje sipas tij, edhe Kosovën, transmeton Klankosova.tv.
“Po ndodh ajo që jemi shqetësuar. Rusia është duke u përgatitur seriozisht që të kanosë sigurinë ajrore të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të NATO-s dhe Ballkanin, përfshirë këtu edhe Kosovën, tanimë janë evidente shqetësimet. Gjermania, Franca, Danimarka, vendet kryesisht baltike janë më të ekspozuara ndaj kësaj lufte hibride që është duke ndodhur”.
“Edhe Ballkani është në një krizë të madhe, po ashtu edhe Kosova. Mbrëmë e pat që është regjistruar një filmim ku një dron i Serbisë, apo ndoshta edhe i Rusisë është parë mbi bazën e Durmoshit”, u shpreh Elezi.
Sipas Elezit, dronët që kanë përshkuar zonën e Kosovës nuk kanë bartur armë, por sipas tij, mjete spiunazhi.
Nga ana tjetër, njohës i gjeopolitikës, Emanuel Bajra thotë se lufta hibride që po zhvillohet në botë, do të intensifikohet në muajt në vazhdim.
“Ata do të dinë se cilat pozicione t’i sabotojnë, cilat pozicione kanë mundësi t’i sulmojnë”, u shpreh Bajra.
The post Dronët rusë kërcënojnë sigurinë ajrore të shteteve evropiane, a rrezikohet Kosova? appeared first on Klan Kosova.