Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me përkrahje nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, përmbyllën Sharkathon-in e parë të organizuar ndonjëherë, një demonstrim unik i inovacionit vendas në teknologjinë e dronëve.
Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci ka shkruar se bashkë me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka, kanë marrë pjesë në këtë ngjarje ku kanë theksuar para të pranishmëve rëndësinë e nxitjes së inovacionit lokal dhe ndërtimit të partneriteteve strategjike në teknologjinë e mbrojtjes.
“Dhjetë zhvillues dhe ekipe të talentuara prezantuan prototipet e tyre të dronëve, duke demonstruar potencialin në rritje të Kosovës në teknologjinë e përparuar dhe inovacionin në mbrojtje. Meqenëse ky është vetëm fillimi, në javët në vijim do të pasojnë aktivitete të tjera për të promovuar më tej bashkëpunimin dhe investimet në këtë sektor në zhvillim”, ka deklaruar ministri Maqedonci,
Ai shkroi tutje se ” Shpreh mirënjohjen tonë ndaj pjesëtarëve të FSK-së dhe Odës Amerikane për këtë angazhim, si dhe ndaj përgjegjësve të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren për vënien në dispozicion të ambienteve të tyre të mrekullueshme për këtë ngjarje”./Telegrafi/