Bashkimi Evropian ka miratuar në vitin 2011 një ligj sipas të cilit të gjitha automjetet duhet të kenë të instaluara dritat ditore në pjesën e përparme – pra drita sinjalizuese që qëndrojnë të ndezura gjatë gjithë kohës.
Zakonisht këto janë drita LED, ndërsa në disa makina më të lira këtë funksion e marrin përsipër dritat e mjegullës.
Megjithatë, përveç rolit të rëndësishëm në sigurinë rrugore (me këto drita jeni shumë më të dukshëm në rrugë), këto drita paraqesin edhe një rrezik të caktuar.
Shumë vetura me drita ditore të ndezura nuk kanë ndriçim në pjesën e pasme. Në momente kur dukshmëria gjatë ditës është e dobët – për shembull në tunele apo në mjegull – nëse nuk i ndizni dritat kryesore, kjo mund të jetë shumë e rrezikshme.
Sidomos për shoferët që ndodhen pas jush, të cilët shpesh do t’ju vënë re shumë më vonë. Në këtë periudhë të vitit, mjegulla është e zakonshme në rrugë, dhe një pjesë e pasme e pandriçuar është një rrezik serioz për sigurinë.
Në një hulumtim të realizuar nga Klubi Mbretëror i Automobilizmit në Britani, madje 62 për qind e shoferëve pranuan se në kushte me dukshmëri të dobët (mjegull, shi, muzg…) kanë vënë re makina me vetëm dritat e përparme ditore të ndezura. Dritat e pasme nuk ishin të ndezura, sepse shumë makina nuk e kanë këtë opsion me dritat ditore.
Nëse vetura juaj ka opsionin e dritave ditore, kontrolloni nëse ndizen edhe dritat e pasme. Nëse jo, atëherë në kushte me dukshmëri të dobët patjetër ndizni dritat kryesore (me të cilat aktivizohen edhe dritat e pasme).
Shumë automjete të reja kanë edhe opsionin e ndezjes automatike të dritave kryesore – mjafton të kontrolloni nëse ai është i aktivizuar (opsioni “AUTO” në levën pas timonit).
Në këtë mënyrë, do ta bëni makinën tuaj shumë më të dukshme edhe për shoferët pas jush, veçanërisht në kohë me mjegull të dendur dhe dukshmëri të reduktuar. /Telegrafi/