Drita ka dalë fituese nga derbi i zjarrtë i Anamoravës, duke mposhtur rivalin e vjetër Gjilanin me rezultat 2-1 në kuadër të javës së tetë të Superligës së Kosovës.
Bardhekaltërit e Zekirija Ramadanit përmbysën rezultatin në pjesën e dytë dhe morën fitoren e dytë radhazi në kampionat, ndërsa për Gjilanin kjo ishte disfata e tretë rresht.
Ndeshja nisi me intensitet të lartë dhe me dominim të lehtë të Gjilanit, që krijoi disa mundësi përmes aksioneve në krahë.
Përpjekjet e skuadrës bardhëekuq u shpërblyen në minutën e 44-të, kur Almir Aganspahic realizoi nga pika e bardhë për 1-0, duke dërguar entuziazëm në tribuna dhe shpresë për fitoren e parë pas një serie negative.
Pas pushimit, Drita u rikthye më e organizuar dhe me më shumë qartësi në sulm.
Barazimi erdhi në minutën e 54-të kur sulmuesi Liridon Balaj shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e Gjilanit dhe mposhti portierin vendas me një goditje të saktë.
Presioni i bardhekaltërve vazhdoi, dhe në minutën e 76-të, mesfushori Albert Dabiqaj – që po kalon në formë të shkëlqyer – shënoi golin e dytë për Dritën, duke vulosur përmbysjen dhe fitoren e madhe në derbi.
Skuadra e Ramadanit menaxhoi me përvojë epërsinë deri në fund, duke marrë tri pikë të arta që e ngjitin në vendin e katërt me 11 pikë. Në anën tjetër, Gjilani mbetet në fund të tabelës me vetëm 7 pikë. /Telegrafi/