Komuna e Drenasit ka reaguar ndaj ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit me ujë në disa fshatra të kësaj komune, duke akuzuar kompaninë KRU “Prishtina” – dega në Drenas, për sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese ndaj qytetarëve, përcjell Telegrafi.
Në njoftimin e komunës thuhet se tash e pesë ditë me radhë janë kërkuar sqarime nga kompania, mirëpo përgjigjet kanë qenë të përsëritura dhe të pasakta, duke u arsyetuar me prishje teknike që “do të sanoheshin brenda ditës”, gjë që sipas komunës nuk ka ndodhur.
“Është e qartë se qytetari po bëhet viktimë e një sjelljeje të papërgjegjshme dhe të qëllimshme, e cila synon të dëmtojë interesin publik dhe imazhin e qeverisjes lokale, sidomos në kohë fushate”, thuhet në reagim.
Komuna ka theksuar gjithashtu se kërkesa për një njoftim zyrtar nga KRU “Prishtina” është hasur me përgjigje ironike, duke u thënë se “zyrtarët e informimit ndodhen aktualisht në Shqipëri”. Ndërkohë, kompania ka vazhduar të publikojë rregullisht njoftime për komunat e tjera, por jo për Drenasin.
“Ky standard i dyfishtë dhe qasja diskriminuese ndaj qytetarëve tanë është i papranueshëm”, thekson Komuna e Drenasit, duke paralajmëruar se do të shqyrtojë të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë për t’iu garantuar qytetarëve të drejtën elementare për furnizim me ujë.
“Qytetari i Drenasit nuk është qytetar i dorës së dytë dhe kjo komunë do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të interesit të tij”, përfundon reagimi. /Telegrafi/