Është ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulm në kanalin e “Ibër Lepencit” që ndodhi më 29 nëntor të 2024-tës.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, thuhet se kjo u bë pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës dhe partnerët evropianë.
PSRK-ja bën të ditur se J.V, D.V dhe I.D, akuzohen për tri vepra penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit, transmeton Klankosova.tv.
J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .
Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.
Ndërsa, i pandehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.
Aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”


