Vendin që deri para pak muajsh e shfrytëzonin për shëtitje dhe për t’u freskuar me ndonjë pije, qytetarëve të Prishtinës tashmë u është kthyer në një kaos.
Sheshi “Xhorxh Bush”, dikur një ndër pikat më të frekuentuara për netët e freskëta të verës, sot është i pakalueshëm.
Rruga e shkatërruar, mungesa e trotuareve dhe punimet e lëna në gjysmë kanë bërë që kalimtarët të rrezikojnë të thyejnë këmbët në çdo hap.
Rrethojat e vendosura gjithandej e kanë bllokuar lëvizjen, duke e kthyer këtë hapësirë publike në një zonë të rrezikshme dhe të papërdorshme.
Që nga muaji mars i këtij viti, sheshi Xhorxh Bush në Prishtinë ka mbetur në një gjendje të mjerueshme. Kamionë të ndalur e vegla pune të braktisura kanë zënë vendin në të njëjtën pozitë për muaj të tërë, dëshmi e një projekti të nisur, por të braktisur në gjysmë.
Ministria e Kulturës ka ndaluar punimet, me arsyetimin se përreth ndodhen monumente historike, përfshirë edhe Katedralen “Nënë Tereza”.
Por vendimi për ndaljen e punimeve nuk është ndjekur nga një zgjidhje konkrete apo plan alternativ.
Kësisoj, jo vetëm që qytetarët e Prishtinës janë privuar nga një hapësirë publike funksionale, por edhe vizitat turistike në katedralë janë pakësuar dukshëm, pasi qasja drejt saj është bërë e vështirë për këmbësorët dhe vizitorët.
Qytetarët e Prishtinës, të pyetur për krejt këtë tollovi, fajin ia lënë shoqërisë, e cila vazhdimisht po hesht kundrejt padrejtësive dhe parregullsive.
E një qytetar i cili këtë hapësirë e shfrytëzonte për të ecur, tashmë është i shqetësuar edhe për vizitorët të cilët vizitojnë Kosovën në sezonën e verës.
Sipas tij këto punime duhet të përfundonin para sezonës kur Kosova mbushet nga mërgimtarë e të huaj.
E kishte edhe nga ata të cilët gjithë situatën e panë më pozitivitet dhe optimizëm duke theksuar se gjëra të tilla ndodhin në gjithë botën,
Sipas tij gjitha do të kenë një fund, vetëm duhet durim nga banorët. E gjithë kjo situatë nuk ka kaluar pa u vërejtur nga qytetarët e Prishtinës.
Ata thonë se ka kohë që gjendja ka mbetur e njëjtë, ndërsa askush nuk del të japë një përgjigje se kur pritet të përfundojë projekti.
Derisa shprehen se sot fillojnë punimet, nesër mbyllen prapë.
Krejt kjo llugë e pamje e kuqërremtë e qytetit, ka filluar të nervozojë qytetarët.
Një nga ta tha se populli po vazhdon të mbyllë sytë kundrejt krejt padrejtësive. Sipas tij kjo erdhi nga keqmenaxhimi i projektit dhe tashmë asgjë s’po funksionon.
Inspektorati për Trashëgimi Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës ndaloi punimet më 12 mars 2025, me arsyetimin se Komuna nuk kishte siguruar lejet e nevojshme nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, edhe pse zona përfshin monumente dhe objekte me mbrojtje kulturore.
The post Dorëzohen qytetarët e Prishtinës: “I kemi mbyllë sytë, jemi në gjumë…” (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.