Sot është mbajtur seanca e parë e kuvendit pas aktgjykimit të ri të Gjykatës Kushtetuese, i cili i obligon partitë politike ta konstituojnë legjislaturën e re brenda 30 ditësh, afat ky që ka nisur që nga e hëna e 18 gushtit.
Sipas aktgjykimit, partia e parë e dalë nga zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje, duhet ta propozojë një kandidat për kryetar kuvendi jo më shumë se tri herë, e që sot nga një herë e provoi Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën.
Të dyja i morën nga 57 vota, por ajo që ra në sy ishte deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, gruaja e ish-deputetit të kësaj partie, Rexhep Selimit, e cila nuk e votoi Donika Gërvallën për kryetare kuvendi.
Pas dështimit të zgjedhjes së Donika Gërvallës në krye të kuvendit, figura të VV-së e të Guxo-s dolën në media duke i sulmuar partitë opozitare se kinse janë bashkë me Listën Serbe ndaj vajzës së ish-veprimtarit, Jusuf Gërvalla.
Pas zhurmës së krijuar, Shqipe Mehmeti-Selimi, dha një sqarim ku tregoi se nuk e votoi Donika Gërvallën shkaku i dy postimeve të kësaj të fundit më 7 shkurt dhe 25 mars të vitit 2020, ku e portretizonte “10-shin” e UÇK-së si njeri të “botës së krimit”.
“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim”, shkroi Mehmeti-Selimi, duke ia bashkëngjitur dy postimet e Gërvallës, transmeton Klankosova.tv.
Në postimin e 7 shkurtit të vitit 2020, Gërvalla pati thënë se Rexhep Selimi “qenka propozuar si kryetar i grupit parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”.
Ndërsa në postimin e saj më 25 mars të po të njëjtit vit, Gërvalla pati shkruar se është e gërditshme ta shohësh Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës.
“Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, përfundonte statusi i Gërvallës, transmeton Klankosova.tv.
Për të marrë një koment në lidhje me situatën e re të krijuar, Klankosova.tv ka kontaktuar me deputetin e Guxo-s, Haxhi Avdylin, por i njëjti tha se “jam me pacient, nuk mund të jap komente”.
Për dështimin e radhës të VV-së që ta konstituojë kuvendin kanë folur edhe figura nga partitë opozitare, ku kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se do të kenë votë “për” një kandidat të VV-së që s’ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Ndryshe nga homologu i tij, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar dhe se nuk do të mbështesin kandidatët e VV-së për kryetar kuvendi.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, beson se qëllimi i Kurtit i Kurtit nuk ka ndryshuar dhe sipas tij, ai do “të vazhdojë ta mbajë Kosovën peng dhe ta udhëheqë në mënyrë jo të ligjshme”.
Seanca e radhës për konstituimin e kuvendit është caktuar të premten e 22 gushtit nga ora 11:00./Klankosova.tv.
The post ‘Dorëzimi’ i VV-së, dështimi i Gërvallës – krejt çka ndodhi sot në Kuvend appeared first on Klan Kosova.