Gjermania ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e Eurobasket pas një fitoreje të madhe kundër Sllovenisë me rezultat 99:91.
Ndeshja nisi më mirë për sllovenët, të cilët fituan çerekun e parë me rezultat 32:21. Loja ishte e shpejtë dhe e ngjeshur me shumë shporta të njëpasnjëshme, ndërsa në minutat e fundit të pjesës së parë Sllovenia realizoi një seri prej 11 pikësh që i dha epërsi për pjesën tjetër të ndeshjes.
Megjithatë, në pjesën e dytë gjermanët u rikthyen fuqishëm. Të udhëhequr nga Franz Wagner dhe Dennis Schröder, ata e kontrolluan lojën dhe e kthyen rezultatin në favorin e tyre. Gjermania shkoi në pushim me epërsi të lehtë 45:14.
Çereku i tretë solli një lojë të balancuar dhe përfundoi me një gjuajtje të saktë për tri pikë nga gjermanët me tingullin e sirenës, duke mbajtur gjallë pasigurinë e rezultatit.
Në çerekun e fundit Gjermania shpërtheu. Me një seri 12:3 në fillim, ata morën kontrollin total të lojës. Sllovenia humbi përqendrimin dhe nuk pati efikasitet nga distanca, ndërsa gjermanët e menaxhuan më mirë ndeshjen për ta mbyllur me triumf dhe për të siguruar kalimin në gjysmëfinale.
Luka Doncic ishte përsëri i pandalshëm për Slloveninë, duke shënuar plot 39 pikë, i ndjekur nga Klemen Prepelic me 13 dhe Gregor Horvat me 9 pikë.
Për Gjermaninë spikati Franz Wagner me 23 pikë, ndërsa Dennis Schröder shtoi 20 dhe Daniel Theis kontribuoi me 15 pikë.
Gjermania tani do të përballet me Finlandën në gjysmëfinale, ndërsa gjysmëfinalja tjetër do të zhvillohet mes Turqisë dhe Greqisë. /Telegrafi/